Motorsport Albania

Ja pse çdokush nuk mund të futet në kthesë si Etion Reçi

Nëse do ti rikthehemi vitit të largët 2010, nën fokusin e kamerës së një celulari u fiksuan momentet që do të bënin kthesën e madhe për motorsportin shqiptar.

Atë mbrëmje, një BMW E36 ngjyrë e kuqe performoi në mënyrë të përkryer 3 rrotullime duke e rreshqitur pjesën e pasme të makinës, në kryqëzimin e rrugës Don Bosko, për të humbur më pas mes trafikut, por video asokohe u bë menjëherë virale në rrjetet sociale. Asnjëherë nuk u mësua se kush ishte pas xhamave të zinj të atij mjeti, por tymi që mbeti në atë kryqëzim, shënoi fillimin e një manie të re në vendin tonë.

Kujtojmë që disiplina e Drift është një ndër më të shtrenjtat për tu vënë në zbatim, sa i përket fushës së motorsportit, pasi kërkesat janë tepër të larta.

Por fatmirësisht në vendin tonë, që nga viti  2010 e deri në ditët e sotme, ai që e ka mbajtur ndezur zjarrin e kësaj disipline, është Etion Reçi, që nëse ndonjëherë do bëheshin zgjedhjet për pozicionin vakant si imazhi i Driftit shqiptar, ai do të ishte ambasadori i saj.

Karriera e të riut nga Dibra, ka nisur në kohë tepër të hershme. Arma e tij e preferuar gjithmonë ka qënë marka BMW, ku disa nga modelet më legjendare, siç janë E36 Coupe, E92 M dhe një E92 AC Schnitzer kanë qënë nën shërbimin e tij për një kohë të gjatë.

Derisa është një ndër drifterat e paktë, po tepër aktiv në qarkullim, rrjetet sociale dhe kanali i Youtube është i tejmbushur me videot e tij, që së fundmi nën fokusin e Drive Channel, i kanë dhënë akoma më shumë nota spektakolare manovrave të tij.

Çdokush fillimisht mund të mendojë, “tepër e thjeshtë”, por nuk duhet harruar fakti që këto filmime janë realizuar në ambjente dhe rrugë të mbyllura nën kujdesin e profesionistëve, duke e bërë gjithçka të sigurt për stafin që i realizon ato.

Fushat ku Etioni ka zhvilluar videot e tij gjithmonë kanë qënë sfiduese, ku mund të përmendim atë të rrugës së vjetër në Krrabë, ngjitjen e Kalasë së Prezës, atë të Llogarasë, dhe për të zbritur më pas në sheshet kryesore të Tiranës siç ishte ai i Nënë Tereza në eventin e vitit 2014.

Si veterani i këtij sporti, ai ka patur mundësinë të testojë edhe mjete të tjera të një rangu akoma më të lart, siç kemi parë së fundmi në kanalin e Drive Channel ne Youtube, me një Dodge Challenger SRT Hellcat që edhe vet personazhet e Fast & Furious do e kishin zili.

Një nga paraqitjet më të mira të tij ishte në eventin Smoke Monkeys të organizuar në arenën e driftit të improvizuar në ambjentet e City Park, që ishte niveli tjetër në vendin tonë, se si një organizmim automobilistik duhet të jetë.

Në këtë event, surpriza më e madhe, ishin pilotët e rinj, ku numri pjesmarrës i mjeteve të përshtatura për Drift ishte vërtet i lartë. Kjo ishte treguesi më i madh, ku u kuptua që mjafton një organizim profesional, dhe gjithmonë do ketë pjesmarrje, pra një mesazh i fortë për instancat shtetërore që të kthejnë vëmendjen nga ky sport.

Etioni solli një standart të ri sa i përket mënyrës se si ushtrohet sporti i Drift. Sot pasioni i tij trashëgohet nga qindra të rinj të apasionuar, që kohën e dikurshme duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë të hapura publike, tashmë e shpenzojnë nëpër garazhde duke përshtatur mjetin e tyre për eventin e radhës. /Sportzona.al

Show More

Të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close
Close